Si ta kuptojmë që jemi prekur nga Prostata?

0Prostata është një problem shqetësues për meshkujt. Por faktorët që e nxisin janë mosha dhe trashëgimia familjare. Problemet me prostatën janë shndërruar në një ndër shqetësimet më serioze të moshave të mëdha e cila nëse nuk trajtohet shpejt, sjell pasoja fatale për jetën e pacientit, sepse mbart me vete shumë komplikacione.

“Në moshat e reja prostata është e vogël, por pas pubertetit ajo fillon të zmadhohet si pasojë e rritjes së nivelit të testosteronit që është një hormon mashkullor”, shprehet kështu mjeku Urolog, Rezar Rusi.

Sëmundjet e prostatës janë më serioze te burrat e moshuar. Çfarë është prostata dhe cili është funksioni i saj?

Prostata është një gjendër me madhësinë e gështenjës dhe peshon rreth 20 gramë. Vendoset nën vezikën urinare dhe rrethon uretrën (kanali që nxjerr urinën jashtë trupit). Pjesa e pasme e saj është e ngjitur me rektumin (fundin e zorrës së trashë). Në moshat e reja prostata është e vogël, por pas pubertetit ajo fillon të zmadhohet si pasojë e rritjes së nivelit të testosteronit që është një hormon mashkullor. Funksioni i prostatës është prodhimi i një lëngu i cili përbën përqindjen më të madhe të spermës. Lëngu prostatik përmban disa proteina, si dhe zink të cilat shërbejnë për ushqimin e spermatozoidëve, mbrojnë nga bakteriet dhe reduktojnë aciditetin e sekrecioneve vaginale duke shtuar jetëgjatësinë e spermatozoidëve.

Cilat janë sëmundjet që prekin prostatën?

Tre janë sëmundjet që prekin prostatën: Zmadhimi beninj i prostatës, prostatiti (infeksioni i prostatës) dhe kanceri i prostatës. Nga këto më i përhapur është zmadhimi beninj i saj.

Çfarë mund të themi për zmadhimin e prostatës meqenëse është prezent në shumicën e burrave të moshuar?

Duhet thënë që në fillim se zmadhimi beninj i prostatës nuk është kancer. Në shumicën e burrave prostata vazhdon të zmadhohet gjatë gjithë jetës, por jo te të gjithë jep bllokim të urinës ose vështirësi në urinim. Kjo shpjegohet me faktin se pavarësisht se prostata zmadhohet, ajo në disa raste nuk shtyp uretrën dhe nuk jep shqetësime. Nuk dihen ekzaktësisht shkaqet e zmadhimit të prostatës, por mendohet se shkak mund të jetë prishja e balancës së hormoneve e cila ndodh si pasojë e plakjes.

Cilët janë faktorët që çojnë në zmadhimin e prostatës?

Faktorët kryesorë që influencojnë në zmadhimin e prostatës janë: Mosha. Tek të rinjtë nën 40 vjeç rrallë shfaqen shenja të zmadhimit të protatës. Deri 55 vjeç, 1 në çdo 4 meshkuj kanë disa simptoma. Deri 75 vjeç më shumë se gjysma e burrave ankohen për shqetesime urinare. Historia familjare. Nëse dikush ka patur babanë ose vëllanë me zmadhim të prostatës edhe ai mund ta ketë.

Cilat janë simptomat e kësaj sëmundje?

Simptomat kryesore janë:

Curg i dobët i urinës

Vështirësi në fillim të urinimit

Urinim me ndërprerje

Urinim i shpeshtë ditën dhe natën

Shtrëngim gjatë urinimit

Çfarë komplikacionesh mund të ketë individi nëse nuk trajtohet?

Ka një sërë komplikacionesh: Bllokim i menjëhershëm i urinës. Kjo është pamundësia për të urinuar dhe ndodh pa pritur. Këtë situatë e ndihmon përdorimi i alkoolit ose mjedise shumë të ftohta.

Infeksionet e traktit urinar

Gurët e vezikës urinare

Dëmtim të veshkave. Kjo ndodh kur vezika urinare ka presion të lartë dhe nga pamundësia për t’u zbrazur transmetohet në veshka. Në këto raste mund të rrezikohet seriozisht shëndeti.

Çfarë ekzaminimesh duhen kryer për të përcaktuar diagnozën e zmadhimit beninj të prostatës?

Ka disa ekzaminime, por më të përdorshmet janë: Ekzaminimi me gisht i prostatës. Me anë të saj mjeku vlerëson madhësinë, konsistencën e prostatës dhe zbulon zona anormale të saj që mund të jenë shenjat e kancerit.

Ekzaminimi neurologjik. Shërben për të vlerësuar sistemin nervor që nga njëherë japin shenja të njëjta me prostatën e zmadhuar.

Analiza e urinës

PSA është anti geni specifik i prostatës. Prostata prodhon normalisht PSA. Kur prostata zmadhohet edhe ajo rritet, por PSA rritet sidomos në kancerin e prostatës. Prandaj PSA është një analizë shumë e rëndësishme për të zbuluar kancerin e prostatës në faza të hershme.

Echo abdominal ose transrektale. Me anë të saj bëhet matja e volumit dhe kontrollohet struktura e saj. Urofloumetria shërben për të parë se sa shpejt derdhet urina.

Si trajtohet prostata e zmadhuar?

Për trajtimin e prostatës së zmadhuar ka opsione të ndryshme, si medikamentet, kirurgjia endoskopike, kirurgjia klasike etj. Zgjedhja e llojit të mjekimit varet nga disa faktorë si: sa të bezdisshme janë simptomat urinare, sa e madhe është prostata, mosha e pacientit, sëmundjet e tjera shoqeruese etj.

Trajtimi me medikamente

Ky është trajtimi më i zakonshëm në rastet kur pacienti paraqet simptoma të moderuara. Dy janë grupet medikamentoze më të rëndësishme:

1) Alfablokuesit, këta relaksojnë muskujt e qafës së vezikës urinare duke lehtësuar simptomat. Më të përdorurit janë Omnic dhe Xatral.

2) Frenuesit e 5-alfa reduktazës, këta ndihmojnë në zvogëlimin e prostatës. Më të përdorurit në këtë grup janë Proscar dh Avodart. Të dy këto grupe mund të përdoren veç e veç ose të kombinuara me njëri – tjetrin.

Trajtimi kirurgjikal

Trajtimi kirurgjikal përdoret në rastet kur medikamentet nuk japin rezultat ose kur pacientët paraqesin simptoma të forta. Teknika kirurgjikale më e përdorur është ajo që quhet TURP (rezeksioni transurethral i prostatës). Me anën e një paisje, rezektoskop, që futet nëpërmjet uretrës deri te prostata, urologu bën prerjen e prostatës në formë fetashderi në heqjen e plotë të saj. Pra nuk bëhet hapja e barkut. I sëmuri qëndron në spital 2 ose 3 ditë. Një metodë tjetër është heqja e prostatës duke përdorur rrezet lazer. Edhe në këtë rast ndërhyrja bëhet si edhe në TURP nëpërmjet uretrës .Komplikacionet janë më të pakta se metoda e parë.

Kirurgjia e hapur

Prostata hiqet duke bërë një hapje të barkut në pjesën e poshtme të saj. Kjo është metoda më e vjeter dhe përdoret gjithmonë e më rrallë dhe rezervohet për prostate shumë të më dha ose kur shoqërohen me gurë të vezikës urinare.