Podolski, objektiv i Interit në Janar

0

Marrëveshja e transferimit të Podolskit në San Siro mund të arrihet në formën e huazimit, më të drejtën e blerjes në fund të sezonit.

Roberto Mancini është shprehur qartë që në momentin kur u zyrtarizua si pasues i Walter Mazzarrit se Interi ka nevojë për përforcime për t’u ringritur. Kupola drejtuese zikaltër po bën lëvizjet e duhura për ta kënaqur. Objektiv i parë mbetet Alessio Cerci, por në orët e fundit ka dalë në skenë emri i Lukas Podolskit, sulmuesit të Arsenalit, i cili është shprehur hapur se është i pakënaqur dhe mund të largohet që në janar nga Londra. Qëllimin për t’u larguar nga topcinjtë Podolski ia ka transmetuar edhe Piero Ausilios, që pret sinjalin e parë nga menaxherët e futbollistit për t’u hedhur në sulm.

Marrëveshja e transferimit të Podolskit në San Siro mund të arrihet në formën e huazimit, më të drejtën e blerjes në fund të sezonit. Mancini ka dhënë “ok”-in për këtë lëvizje, pasi e kërkonte futbollistin që nga koha kur drejtonte Gallatasarajin.

Por nuk është vetëm sulmi reparti që duhet përforcuar. Në kampin zikaltër po mendojnë sërish për Marcel Schmelzer të Borussias së Dortmundit. Mbrojtësi verdhezi mund të bëhet lojtar i Interit për 5 milionë euro, pa harruar edhe Lucas Leivan, mesfushorin brazilian për të cilin Ausilio ka patur kontakte të ndryshme me Liverpulin.