Partizani – Tirana, rivalët ndajnë një histori që i bashkon

0Janë të panumërt shembujt e futbollistëve që kanë ndarë pjesëzat më të lavdishme të karrierës së tyre mes të dyja skuadrave.

Derbi i kryeqytetit vjen në momentin e duhur, një Partizani – Tirana që të gjithë shpresojnë që të rezultojë një reklamë e futbollit shqiptar në katërkëndëshin e blertë, por mbi të gjitha si mesazhi më i mirë i një derbi që ofron njëherazi maksimumin e rivalitetit, por dhe qytetarinë në tribuna. Partizani dhe Tirana janë rivalet historike të futbollit shqiptar, por është pikërisht kjo histori që më shumë se sa i ndan i bashkon. Janë të panumërt shembujt e futbollistëve që kanë ndarë pjesëzat më të lavdishme të karrierës së tyre mes të dyja skuadrave e sa për të kujtuar disa mjafton të kujtosh Ard Memën, apo të atin e tij Ali Mema, që kanë veshur si fanellën e kuqe edhe atë bardheblu, ashtu si Alban Tafaj. Një ndër lojtarët më domethënës të Tiranës së suksesshme të viteve 2000 është padyshim Devi Muka, fantazisti magjik i Tiranës por që ka luajtur dhe për Partizanin, ashtu si Sulejman Mema i ka drejtuar të dyja skuadrat si trajner.

Vetë timonieri aktual i Tiranës, Gugash Magani është aktivizuar si futbollist me të kuqtë për të ardhur më pas te historia më e afërt e Elis Bakajt Apo Erando Karabecit, futbollistë të formuar te Partizani por që sot janë ndër lojtarët më të rëndësishëm të Tiranës. Të gjithë këta e shumë të tjerë janë copëza historie të një derbi të lavdishëm e të ndier në maksimum, mes dy tifozerive që pavarëisht rivalitetit ndajnë mes tyre të njëjtin pasion për futbollin, të njëjtin qytet e ambiente ku jetojnë e punojnë në përditshmërinë e tyre, të njëjtat halle e gëzime. Pa dyshim që për 90 minuta janë të gjithë rivalë për të dhuruar një koreografi fantastike me kunjat e ironinë e ndërsjelltë në banderola e kore që i shton bukurinë derbit, por deri këtu pasi nuk ka vend për tendencat e radikalizimit që janë shënuar në vitet e fundit që nuk duhen lënë për të prishur ndeshjen më të bukur që kemi, pasi mbi të gjitha Tirana dhe Partizani ndajnë së bashku një histori, ashtu si tifozët e tyre të njëjtat probleme shpresa, ambiente pune e banimi, ashtu siç tregon dhe kjo foto që vlen sa mijëra fjalë e meriton që të jetë edhe imazhi i këtij derbi.