Një shaka me Enver Hoxhën në garë makinash që ngjall debate (Video)

Një shaka me Enver Hoxhën në garë makinash që ngjall debate (Video)

Nuk bëhet fjalë për nderim të diktatorit shqiptar por për një tallje e shaka me obsesionin ndaj një diktatori. Mediat raportuan lajmin se shqiptaro-amerikanë kanë marrë pjesë në një garë makinash me fotografi e simbole të Enver Hoxhës,

Përdorimi i figurës së diktatorit shqiptar ka qenë një lloj shakaje, tallje me historinë nga njerëz për të cilët ajo ka pak rëndësi.

Bëhet fjalë për një përpjekje për humor nga djem të rinj të apasionuar pas mekanikës së automjeteve dhe garave me to, shkruan Illyriapress. Gjithçka nisi kur një grup që nuk ishte regjistruar deri 24 orë përpara garës së radhës të makinave “Road America for the Chubba Cheddar Enduro”, i telefonoi një nga organizatorëve kryesorë dhe e pyeti se si mund t’ia bënin që të shmangnin dënimet që morën herën e fundit për shkak të përdorimit të “Cheatonium-239”.

Për humor, morën përgjigje se kjo zgjidhej vetëm duke nderuar në këtë garë një nga diktatorët e harruar të Europës Lindore si për shembull duke nderuar bunkerndërtuesin Enver Hoxha. Kaq u desh dhe djemtë e skuadrës së fundit u shfaqën në garë më fotografinë e tij, me ngjyrat e simbolet shqiptare madje edhe me nderimin me grusht, të gjitha të mësuara me ndihmën e internetit.

Spektakli sigurisht ka zbavitur shumëkënd gjatë garës, ndërsa lajmi i përcjellë shtrembërisht nga media shqiptare nuk është çudi të ketë sjellë ofendim te viktimat e diktaturës hoxhiane. Sigurisht, askush nuk do të kishte dalë të bënte garë me fotografi të Hitlerit në rrugët e Amerikës.