Ndryshimi i kufijve do të sjell ndryshimin e kufijve në rajon!?

ndarja_e_kosoves_zgjidhje_apo_Ideja e shefit të Zyrës Ruse në Kosovë, Andrey Shugurov, për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllim të përfundimit të konfliktit dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet të dy popujve është cilësuar si e parealizueshme.

Njohës të rrethanave politike në vend thonë se shkëmbimi i territoreve nuk është i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, pasi për ta shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi do të nënkuptonte hapjen e “Kutisë së Pandorës”, me ç’rast rajoni do të ballafaqohej me probleme të shumta.

Analistët e Kosovës nuk e mbështesin idenë e diplomatit rus Shugurov si dhe e konsiderojnë si të rrezikshme për rajonin, sepse do të shkaktojë efektin domino, shkruan gazeta Dnevnik transmeton Shqipmedia.

– Kjo nuk është ide e mirë pasi nëse flasim për shkëmbim të territoreve, në mes Kosovës dhe Serbisë në bazë etnike, atëherë çka të themi për shqiptarët e Maqedonisë apo për serbët në Bosnjë – thotë analisti kosovar Adriatik Kelmendi.

Për te, ide e mirë është të ketë marrëdhënie të mira në mes të gjitha vendeve të rajonit, të respektohen kufijtë dhe të investohet në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët që jetojnë në ato vende, dhe jo të shkaktohen probleme me ndarje të njerëzve me kufinjë në bazë etnike. Ai thekson se një zgjidhje më e mirë është që Kosova ti respektojë pakicat serbe në veri, ti ketë të gjitha të drejtat që janë të garantuara nga kartat dhe konventat dhe e njejta të vlejë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Sipas tij, autoritetet në Kosovë janë në të njejtën linjë dhe qëndrim se një zgjidhje e tillë do të sjellë vetëm jostabilizim në rajon.

Për kolegun e tij Izir Ibrahimi, një zgjidhje e tillë mund të jetë një mundësi mirëpo nëse është e izoluar vetëm në Kosovë, me marrëveshje në mes Beogradit dhe Prishtinës.

– Problemi është se mund të ketë implikime tjera në Ballkan, nëse ndryshohen kufijtë e Kosovës atëherë mund të ketë ndryshime të kufijve për shembull edhe në Bosnjë, në Maqedoni. Ky është rreziku i këtij skenari, u shpreh Ibrahimi.

Megjithatë, ai nuk përjashton se shkëmbimi është një nga zgjidhjet e mundshme dhe nuk duhet të përjashtohet në tërësi nëse do të ketë marrëveshje “xhentëlmenash” në mes të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë – thotë Ibrahimi.

Por ai nuk është i bindur se kjo është vetëm një qëndrim personal i diplomatit rus Shugurov, por është një tjetër mënyrë për të dërguar sinjal nga rusët se po kthehen në rajon dhe se duan të kenë ndikim./Shqipmedia