Ministria e Brendshme vërteton gafën e PD për “fshehje të krimeve në vend”?

Ministria e Brendshme vërteton gafën e PD për

A i fshehu ministria e Brendshme ngjarje e rënda të 48 orëve të fundit? Këtë pyetje patën si dilemë dy ditët e fundit qytetarët për shkak të daljeve të njëpasnjëshme të deputetëve të Partisë Demokratike me akuza ndaj qeverisë se po fshihet ngjarjet kriminale që ndodhin në vend.

Por duket se kemi të bëjmë me një pakujdesi ose mosverifikim nga ana e opozitës, pasi ngjarjet për të cilat PD pretendoi se ishin fshehur në fakt ishin raportuar në media dhe policia kishte dërguar informacion zyrtar mbi to.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea doli mbrëmjen e së shtunës para gazetarëve ku pasi e nisi me batuta akuzuese ndaj opozitës, evidentoi se “deputetë të PD kanë akuzuar se Policia ka fshehur tre ngjarje të ndodhura gjatë dy ditëve të fundit. “Krejtësisht e pavërtetë dhe gazetarët mund ta provojnë lehtësisht këtë gjë, mjafton të kontrollojnë komunikatat për shtyp të ditëve të fundit, ku do të gjejnë të tre rastet e përmendura nga opozita”, – tha Gjebrea.

Ajo i mori tre ngjarjet me radhë:

PD pretendon se kemi fshehur plagosjen ndaj shtetasit I.K. Gënjeshtër. Policia e Shtetit ka shpërndarë komunikatë në media ku njoftohet se në datë 16 janar shtetasi Imer K. 19 vjeç është plagosur me një mjet prerës në qendër të Kamzës dhe është dërguar në spitalin ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore, në rrezik për jetën. Policia ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur atë në kërkim”.

Gjebrea publikoi dhe komunikatën e shpërndarë dje nga policia e Tiranës. Kurse pohoi se sot në orën 09.30 shtetasi Imer K. ka ndërruar jetë në spital nga plagët e marra. Edhe për vdekjen e tij, policia kishte lëshuasr sot komunikatë.

Ngjarja e dytë

“PD pretendon se kemi fshehu vjedhjen e shtetasit A.Q. Gënjeshtër. Policia e Shtetit ka shpërndarë komunikatë në media ku njoftohet se në datë 16 janar në fshatin Torrovicë shtetasi A.Q., ka denoncuar se dy persona të paidentifikuar që lëviznin me një automjet ngjyrë blu i kanë kërkuar t’i ndihmonte për t’i rimorkuar me makinë dhe më pas i kanë vjedhur një shumë prej 900 mijë lekësh”, – tha zonja Gjebrea duke demonstruar edhe komunikatën e shpërndarë dje nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë, ku informohet lidhur me këtë ngjarje.

Ngjarja e tretë

“PD pretendon se kemi fshehur atentatin ndaj shtetasit A.S. Gënjeshtër. Policia e Shtetit ka shpërndarë komunikatë në media ku njoftohet se dje rreth orës 21:30, në Fushë – Mëzez, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësit të policisë A.S. me detyrë agjent i policisë gjyqësore, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën”, – tha Gjebrea duke shtuar se edhe kjo ngjarje është pasqyruar në komunikatën e sotme të policisë së Tiranës.

“Gjithçka u paraqit më lart vërteton përtej çdo dyshimi se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk kanë as më të voglin synim për të fshehur realitetin e kriminalitetit në vend, apo më keq akoma për të manipuluar shifrat e veprave penale”, – tha Gjebrea, duke vazhduar edhe me disa batuta të zakonshme të tipit “hidh e prit” që mazhoranca e sotme bën pambarimisht me opozitën dhe anasjelltas.