Meta: Të hapen Ambasadat e përbashkëta me Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë një interviste me Janusz Bugajski ne “Albanian Screen”, veç çështjeve të brendshme të Shqipërisë, ka folur edhe për Kosovën, gjegjësisht në lidhje me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare të mbajtur në Prizren gjatë këtij muaji.

Meta ka thënë se ky takim ka qenë mjaft pozitiv, duke theksuar se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën janë unike – janë marrëdhënie të dy vendeve fqinje, por jo vetëm kaq, janë më shumë.

“Janë dy vende që të ardhmen e qytetarëve të tyre e shohin në BE. Kemi mundësi më të mëdha për të shfrytëzuar resurset për një zhvillim më të shpejtë, për të integruar më shpejt, por edhe për të përdorur më mirë resurset e njeri- tjetrit. Si në aspektin energjetik. Shqipëria dhe Kosova kanë më shumë mundësi të përfitojnë më shumë nga sistemet energjetike. Shqipëria bazën kryesore të energjisë e ka nga energjia e rinovueshme, hidro. Ndërsa Kosova e ka nga energjia, e cila prodhohet nga termocentralet”, ka thënë Meta në intervistën për AS, transmeton Koha.net.

Ai ka folur më tej edhe për bashkëpunimet tjera në mes të dy vendeve tona, duke thënë se ky bashkëpunim duhet parë si një mundësi për të eksploruar të gjitha mundësitë e fjetura deri tani për një zhvillim edhe më të mirë ekonomik, por edhe për të dhënë ndonjë shembull të një bashkëpunimi tepër konstruktiv edhe në rajon.

“Ka qenë një mbledhje e paramenduar. Ideja për të realizuar një bashkëpunim sa më të dobishëm nga Shqipëria me Kosovën, ka qenë një ide përpara zgjedhjeve dhe pas tyre. Unë besoj se takimi i Prizrenit do të pasohet me takime të tjera. Kemi nevojë për vendime konkrete, si p.sh konsullatë apo ambasada të përbashkëta. Kjo është pozitive, jo vetëm me Kosovën, por edhe me vendet e tjera. Kur ne duhet të japim shërbimin tonë ndaj fqinjëve tanë, por edhe të shfrytëzojmë burimet tona, sepse nuk kemi mundësi të hapim konsullata kudo”, ka thënë Meta, duke shtuar se këto forma bashkëpunimi janë të dobishme dhe me interes konkret edhe praktik për qytetarët tanë.