Macron shokon me komentin për Erdoganin

Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron, ka habitur me një deklaratë të fundit, ku thotë se jeta e tij si lider botëror është më pak “tërheqëse” nga sa mund të mendohej dhe si argument për këtë dha faktin se është i detyruar të flasë shpesh me një lider si Erdogan.

I pyetur nga revista “Le Point” në një intervistë nëse ai po përpiqej të bëhej “fëmija tërheqës” në skenën globale, Macron iu përgjigj: “Skena globale nuk është një skenë edhe aq tërheqëse, ju e dini.”

Ndërsa kur iu kërkua të jepte një shembull, ai tha: “Unë jam ai që duhet të flasë me Erdoganin çdo 10 ditë.”

Erdogani është kritikuar shpesh nga liderët në Europën Perëndimore dhe ka përplasje me BE-në për çështje si të drejtat e njeriut, etj.

Biseda e fundit që është bërë publike mes Macronit dhe Erdoganit u zhvillua me 27 Gusht, kur ata diskutuan fatin e një gazetari francez të arrestuar dhe burgosur në Turqi.

Macron, po ashtu ka qenë i detyruar të diskutojë shpesh me Erdoganin çështje të Lindjes së Mesme dhe luftës në Siri.

Deklarata është cilësuar si shokuese nga mediat turke, të cilat raportojnë se pas publikimit të intervistës, pjesëtarë të ekipit të Macron kanë sqaruar se deklarata nuk ka pasur synim talljeje me Erdoganin, por është bërë në kontekstin e faktit se bisedat me të janë shumë serioze gjithmonë.

Në një reagim pas raporteve mediatike, Ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybekçi tha se Macron “nuk duhet ta harrojë se të flasë me Erdoganin është bekim për të.”

Ai shkoi më tej duke thënë se Macroni, kur të shkruajë kujtimet “do të mburret duke thënë se kam folur me Erdoganin.”/tvklan.al