Edhe Europa po rrezikohet nga skema teroriste ISIS !

europasulm

Edicioni i së dielës i gazetës gjermane “Bild”, bëri të ditur se grupe luftëtarësh të milicisë terroriste “Shteti Islamik” (IS), të përbërë prej katër vetash e të maskuar si refugjatë, do të përpiqen të kalojnë kufirin me Turqinë. Lajmin në fjalë, platforma e famshme gjermane e bëri, duke iu referuar qarqeve të sigurisë, siç thuhej në njoftim.

Sipas burimeve të “Bild”, thuhet se terroristët do të udhëtojnë me pasaporta të falsifikuara drejt Evropës Perëndimore dhe Gjermanisë. Më pas, komandot e IS-it, mendohet se do të kryejnë atentate të organizuara.

Lajmit në fjalë iu bë jehonë gjatë gjithë ditës së djeshme në mediat gjermane ato perëndimore, duke e trajtuar si një shqetësim imediat e të përbashkët panEvropian, por që gjithsesi, duke e trajtuar njëkohësisht, të hapur për verifikime të mëtejshme.

Sipas të dhënave të gazetës, shërbimet e fshehta amerikane kanë arritur të deshifrojnë komunikimin e koduar të udhëheqjes së IS për këto plane terroriste.

“Mos përdorni aeroplanë!”

Nga bisedat e përgjuara, shërbimet e fshehta amerikane mësuan edhe se komandot e IS në rrugën e tyre drejt Evropës Perëndimore, nuk duhet të përdornin aeroplanë. Arsyeja janë kontrollet krahasueshmërisht të ashpra në aeroporte. Ndërkohë që kufirin turk e kalojnë përditë qindra refugjatë të luftës civile nga Siria. Në këtë mënyrë, terroristëve do t’u mundësohej të përziheshin me ta pa u njohur midis njerëzve.

“Bild am Sonntag”, theksonte nga ana tjetër se autoritetet gjermane e kanë tashmë të njohur këtë skenar, konfirmuar nga qarqe qeveritare.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme i tha agjencisë shtetërore gjermane së lajmeve DPA se “Gjermania vazhdon të jetë në fokusin e terrorizmit xhihadist”.

Nga kjo rezulton një rrezikim abstrakt i lartë për sigurinë e brendshme. Por aktualisht nuk ka të dhëna për plane konkrete për atentate. Sipas të dhënave të organeve të sigurisë, luftëtarë radikalë nga Gjermania, tërhiqen gjithnjë e më shumë nga Pakistani në drejtim të Sirisë. Sipas gazetës tjetër gjermane, “Die Welt”, që u referohej qarqeve qeveritare në Berlin, shërbimet e fshehta gjermane besojnë se disa xhihadistë, të cilët para disa vitesh kishin shkuar në kampe terroriste në zonën kufitare midis Afganistanit dhe Pakistanit, ndodhen ndërkohë në Siri ose rrugës për atje.

Talebanët: Mbështetje për “muxhahedinët”

Sipas burimit në fjalë, janë aktualisht rreth 20 islamikë nga Gjermania që ndodhen në rajonin kufitar midis Pakistanit dhe Afganistanit. Më parë, rreth 100 vetë kishin shkuar në kampe trajnimi të rrjetit terrorist të Al-Qaedas dhe grupeve të tjera. Ndërkohë, mësohet se talebanët e Pakistanit (TTP) u kanë sinjalizuar tashmë – pavarësisht diferencave e rivaliteteve që mund të kenë pasur – grupeve xhihadiste, siç është edhe IS, mbështetjen e tyre.

“Muxhahedinët, që luftojnë në Irak dhe në Siri janë vëllezërit tanë”, thuhej në një deklaratë të shefit të TTP, Mullah Fazlullah. “Ne (…) do t’ju ndihmojmë në çdo mënyrë, që të jetë e mundur për ne”.

Talebanët në Pakistan janë të lidhur tradicionalisht ngushtë me rrjetin terrorist Al Qaeda dhe simbolikisht edhe eliminimi i ish-liderit të kësaj organizate pak vite më parë, u krye pikërisht në Pakistan.

Kobane, qyteti ku luftohet për çdo metër

Ndërkohë, kanë qenë të paktën 20 xhihadistë të vrarë nga radhët e Shtetit Islamik (IS) gjatë të dielës mbrëma, ndërsa po përpiqeshin për të rimarrë Kobanen, lokalitetin në kufirin sirian, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut. Xhihadistët janë vrarë pasi kanë hyrë në një lagje lindore të qytetit, ku janë pritur në sulm nga luftëtarët kurdë. Por sidoqoftë, kjo nuk ka e ka bërë IS që të ndalet. Dje, ata përsëri i janë afruar Kobanit duke vrarë deri në mbrëmje, rreth 30 luftëtarë kurdë, sipas Obervatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkaq, luftimet janë shtrirë deri në lagjet e brendshme të qytetit, duke bërë që të luftohet për çdo metër. Milicët xhihadistë kanë ngritur një flamur shumë pak metra në lindje të qytetit. Flamuri i zi, është vendosur mbi një ndërtesë të lartë dhe mbi një kodër, shumë pranë vendit ku vijojnë të kryhen përleshjet, në kufirin turko-sirian. Forcat ushtarake turke mësohet se janë vendosur në gatishmëri të plotë përgjatë kufirit, ku kanë dislokuar tanke në pritje për ndonjë urdhër sulmi. Prej kohësh, beteja është përqendruar në Kobane, për shkak të rëndësisë strategjike dhe simbolikës që mbart ai për Kalifatin Islamik.