Borxhi i pashlyer, merret peng 28 vjeçari

Borxhi i pashlyer, merret peng 28 vjeçari

Një borxh i pashlyer prej 2 mijë eurosh ka bërë që një 28 vjeçar të përfundojë si peng i tre djemve të tjerë.

Pas sinjalizimit për këtë rast efektivët e policia së kryeqytetit ndërmorën operacionin “Kryqëzimi- Medrese”, në kuadër të të cilit u arrestuan tre autorët e rrëmbimit.

Siç raporton Noa.al, të prangosurit janë Emirjon Lala 28 vjeç i dënuar më herët në Itali për trafik droge, Erilando Merzhika 23 vjeç dhe Flogert Merzhika 22 vjeç, që të tre me banim në Durrës.

Të sipërpërmendurit në afërsi të Medresesë në Tiranë, dyshohet se kanë marrë forcërisht për shkak të një borxhi të pashlyer prej 2 mijë euro, duke e mbajtur peng në banesën e tyre të marrë me qera në Kamëz, 28 vjeçarin  Bledi U, banues në Tiranë.

Sakaq gjatë kontrollit të ushtruar në banesë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pistoletë imitim zhurmuese, një dorëz hekuri forcues grushti, një shkop gome policie dhe 26 copë fishek luftarakë model 54.

Lidhur me këtë rast vijojnë hetimet e mëtejshme, ndërsa materialet në ngarkim të të ndaluarve i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.