Berisha: Rama i lidhur me “Hakmarrjen” dhe bandat e “Lushnjës” e “Kavajës”

Berisha

Sali Berisha
Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se situata e rendit në vend është rënduar shumë dhe akuzon ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, si të paaftë dhe kryeministrin Edi Rama, si të lidhur me banda kriminale.“Rama është i njohur botërisht për lidhjet e tij të gjithanshme me: “bandën e rrugës së Kavajës”, “bandën e Lushnjes”, “Hakmarrjen për Drejtësi” dhe disa të tjera me të cilat kur drejtonte Bashkinë lante para, rrëmbente prona por edhe kuti votimi. Po shkojmë drejt pasigurisë së plotë dhe kaosit!”, – vlerëson z.Berisha.

Berisha thotë ndër të tjera dhe se qeveritarët aktualë janë shokët, nunët e kriminelëve të ish bandave më të rrezikshme dhe banditëve aktualë kryesorë ndaj dhe krimi nuk pyet më për policinë por është ngjitur në zyrat e shtetit duke filluar nga zyra e kryekreut.

“Këta janë shokët e krimit. Ekzekutojnë me pritë lidhjet që i rrezikojnë! Vrasjet, çdo ditë maskat, çdo natë tritoli, trafiqet kanë dominuar si kurrë ndonjëherë më parë javët e para të këtij viti. Krimi në shtetin policor të Edi Ramës është në revansh të papërmbajtur”, – thotë z.Rama.

“Qeveritarët për të zhdukur gjurmë të hershme të lidhjeve të tyre me krimin i ekzekutojnë me pritë shtetërore ato”, shkruan Berisha në një reagim të tij publik pasditen e së shtunës. Sipas tij, policët të shndërruar në gjobëvënës, nuk merren më me krimin dhe kriminelet, trafikantët apo maskat, duke shtuar se në tërësi për të gjitha këto akte nuk ka autorë. Ish-Kryeministri thotë se policia merret vetëm me gjobëvënie dhe mbledhjen e gjobave të vëna në kundërshtim me ligjin për të plaçkitur pa maska qytetarët, ndërsa situata po degradon me shpejtësi çdo ditë.